Kontaktoni

[email protected]

Tel: +383 49 110 092

Rr. Antigona Fazliu - 10000, Prishtinë

Opinion

Pas kryengritjes së Prigozhinit, mbretërimi i Putinit shkon drejt aktit përfundimtar

DNews
02 Korrik 2023

Kur u përhap lajmi për kryengritjen e Yevgeny Prigozhinit, pyetja e parë ishte nëse fjala është për teatër apo për diçka të vërtetë? Rezultuan të jenë të dyja. Pavarësisht nivelit teatral, kjo nuk ishte shfaqje e shkruar nga Vladimir Putini. Ishte kërcënim real për presidentin rus dhe, megjithëse disa mund të besojnë se ai fitoi, brenda vendit (gjë që ka rëndësi) u dëmtua rënd imazhi i tij si car i gjithëfuqishëm.

Nëse e analizojmë situatën, duket se shkak për kryengritjen – që Prigozhini e kreu me guxim – nuk ishte vetëm entuziazmi nacionalist dhe zemërimi i drejtë, por paratë. Në një demokraci, paratë mund t’ju sjellin pushtet. Por, në sistemin feudal mafioz të Rusisë, vetëm pushteti mund t’ju sjellë para. Urdhri i ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, që ushtarët e grupit Wagner të regjistrohen si trupa të ushtrisë, në fakt ishte shkurtim masiv për të ardhurat e Prigozhinit.

Paraqiste rrezik lëvizja e Prigozhinit për ta rivendosur pushtetin, por ishte i justifikuar: pasi kishte punuar ngushtë me ushtrinë, për muaj të tërë, ishte i vetëdijshëm për pakënaqësinë e përhapur në udhëheqjen e ushtrisë. E kuptoi gjithashtu brishtësinë e pozicionit të Putinit. Këto vlerësime rezultuan të sakta. Kur forcat e Wagner-it pushtuan qytetin jugor rus të Rostovit, nuk hasën në asnjë kundërshtim të rëndësishëm të ushtrisë; në marshimin drejt Moskës, as ushtria, as shërbimi i sigurisë FSB dhe as Rosgvardia, “roja pretoriane” e Putinit, nuk e morën ndonjë masë efektive për t’i ndaluar.

Në anën tjetër, Prigozhini kishte vetëm 4,500 burra me vete – jo të mjaftueshëm për ta marrë dhe për ta mbajtur një qytet, nëse trupat do të mblidheshin për ta mbrojtur Putinin. Derisa nuk u tërhoq, nuk pati as demonstrime të dukshme të mbështetjes popullore për Prigozhinin, megjithëse kjo mund të ishte për shkakun se ngjarjet thjesht lëvizën shumë shpejt. Duket se reagimi instinktiv ka qenë – të shohim dhe të presim.

Nga Rubrika

D-News, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.