Mangësive të cilat manifestojnë simptoma kronologjike të bashkërenditura në një periudhë më të gjatë kohore, u nevojitet vetëm qasja sistematike e identifikimit, por edhe trajtimit të të njëjtave. Republika e Maqedonisë së Veriut, si vend i shkëputur nga sistemi i kaluar, kishte fatin që të shkëputet pa konflikt dhe këtë status, për fatin e mirë të saj, por jo edhe të vendeve tjera, e ndau vetëm ajo – por, që në pikëpamje afatmesme dhe afatgjate, e njëjta nuk i dha dobi edhe në plan socioekonomik.
Se ky vend shpeshherë paraqet problem, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin, dëshmon më së miri fotografia e këtyre viteve të fundit, ku vendi ynë hapi dyert e bashkëpunimit, por edhe të mënjanimit të problemeve me shtetet fqinje, me çka u bë kompromis pothuajse gjithçka të cilën vendi ynë e proklamonte si të veten apo si vlerë unike të saj.
Me eliminimin e barrierave për udhëtim, anëtarësimin në NATO dhe tani të vendosur në një fazë të avancuar të procesit për regjionalizim, si parakusht për BE, ekonomia, por edhe i gjithë vendi ynë, gjendet në një situatë të palakmueshme, për arsye të mos anticipimit të lëvizjeve të cilat vetë i bëmë apo na u kërkuan dhe na u imponuan.
Si rrjedhojë e kësaj qasjeje neglizhence, sidomos në periudha kyçe për vendin tonë, vijnë në shprehje edhe grupet e interesit, si dhe akterët e tjerë të cilëve u shtohet rëndësia në bazë të asaj se çfarë ndërmarrin .
Lëvizjet të cilat gjithsesi janë pozitive, duke përfshirë këtu liberalizimin e vizave, bartën me vete edhe pasojat të cilave nuk iu dha vëmendja e duhur nga ana e institucioneve vendore, të cilat duhej t’i paraprinin të njëjtave me politika të mirëfillta të cilat do të parandalonin një eksod masiv të të rinjve, ndërkaq sektori privat ishte i vendosur në mes të gjithçkaje duke luajtur rolin e garantuesit të shoqërisë dhe qeverisë duke e mbushur arkën shtetërore – por, që në anën tjetër duke u munduar të gjejë mënyra
Ikja e fuqisë punëtore nga Maqedonia e Veriut, si problem është i ndërlikuar, andaj duhet shqyrtuar me seriozitet sfidat që përballon ekonomia jonë, veçanërisht në lidhje me ikjen e fuqisë punëtore. Qëllimi ynë, si Odë Ekonomike, tash e një vit është të orientojmë diskutimin mbi këtë çështje të rëndësishme.
Situata aktuale e tregut të punës është shqetësuese. Numri i të rinjve që po largohen nga vendi për të gjetur punë në vende të tjera është në rritje, ndërkaq sipërmarrjet tona përballen me mungesë të punëtorëve. Ky fenomen i ikjes së fuqisë punëtore nuk ndodh vetëm për aspektin financiar; duhet të kemi parasyshë dhe shumë faktorë të tjerë, siç janë: sistemi shëndetësor, arsimor, siguria juridike në vend dhe shumë e shumë faktorë të tjerë.
Nëse Maqedonia e Veriut synon të jetë konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe të ketë ekonomi të qëndrueshme në të ardhmen, duhet të krijojmë një mjedis më tërheqës dhe të stimulueshëm për fuqinë punëtore. Por, për fat të keq, ne si vend kemi filluar të humbim edhe konkurrueshmërinë në raport me vendet e rajonit, sa i përket pagave të fuqisë punëtore, ku kjo vjen si pasojë e shumë barrierave me të cilat ballafaqohet vendi ynë – njëra dhe kryesorja prej tyre është kontributi i larta i pagave, ku për 1 000 euro nga paga neto paguajmë shtesë me 52 përqind. Duke u bazuar në analizat e hollësishme të cilat i kemi bërë, ato tregojnë se ne jemi më të shtrenjtit në rajon dhe gjithashtu edhe në Evropë.
Kërkesa e kamotshme e OEMVP-së për uljen e kontributeve nga 47.5 përqind në nivel prej 32 përqind nga paga minimale neto, është si një parakusht për rritje të pagave të punonjësve, kështu duke krijuar një perspektive afatgjate të qytetarëve në vend. Në këtë mënyrë do të inkurajojmë rritjen ekonomike dhe ndalimin e largimit të të punësuarve aktualë dhe punësimin e të rinjve.
Është shqetësues fakti që përveç OEMVP-së nuk hasëm në iniciativa, çfarëdo qofshin ato, sa i përket luftës kundër migracionit. Pa dashur të nënvlerësohet puna e askujt, por institucionet rrallëherë tregojnë qasje pro-aktive, ndërkaq pikërisht kur e njëjta është domosdoshmëri i gjejmë në mospërfillje të skajshme.
Ky zell dhe përkushtimi ynë vjen si rrjedhojë e kuptimit të rezultateve që dalin nga analizat e ndryshme të OEMVP-së, andaj përveç që jemi kombëtarë dhe dashamirë të mirëqenies së bashkëqytetarëve tanë, jemi parimor – duke u nisur nga faktet të cilat gjenden gjithandej, por që injorohen pothuajse nga të gjithë.
Ne, si Odë Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, do të vazhdojmë të angazhohemi për të gjetur zgjidhje inovative dhe afatgjata për sfidat e ikjes së të rinjve nga Maqedonia e Veriut. Kjo përfshin bashkëpunimin me institucionet shtetërore, bizneset private dhe sektorin publik, për të zhvilluar politika dhe programe të përshtatshme që do të kontribuojnë në rritjen e aftësive të punës dhe krijimin e mundësive për të rinjtë tane. Përmes bashkëpunimit dhe vendosmërisë së përbashkët do të arrijmë t’i japim mundësi vendit tonë në krijimin e një ekonomie të mirëfilltë, me një treg të punës më të qëndrueshëm që do të mundësojë ecurinë dhe vizionin e afaristëve të çmuar të vendit.
Nuk kemi porosi tjetër pos që të ju thërrasim: Ta ndërtojmë të ardhmen në shtëpi, ta ndalim migrimin.
E kthjellët është pasqyra që ky projekt është afatgjatë, por në memorien shtetërore dhe në përpjekjet për kultivimin e shëndetit social të vendit, 10 vjet janë të pakta, dhe se ky projekt për këto 10 vite të ardhme duhet të përfshijë një sërë ndryshimesh. Duke nisur nga rritja e pagave e cila lidhet ngushtë me zvogëlimin e kontributeve e deri te rritja e efikasitetit të fuqisë punëtore, ku duhet të ndërlidhet sistemi arsimor me çka bëhet seleksionimi i nxënësve në drejtime profesionale.
Nuk duhet harruar edhe rëndësinë dhe rolin e mediave në këtë rrugëtim, të cilët duhet në mënyrë të parezervë të përkrahin këtë iniciative fisnike me përfitime kolektive shoqërore. Ato, së bashku me universitetet dhe institucionet arsimore, do të duhet të punojnë fuqishëm në krijimin e një mendësie të re te të rinjtë, mendësi kjo e cila do të përforcojë bindjen e qytetarëve se vendi ynë ndërtohet me kontribut të dëlirë të të gjithëve.
Oda Ekonomike përgjatë këtij rrugëtimi do të jetë e paluhatshme në kërkesat e veta, sepse pikëpamja jonë e sheh secilën pjesë kolaterale të këtij fenomeni negativ i cili po shpeshtohet nga dita në ditë. Ndërkaq, si institucion vazhdojmë të jemi partneri më lojal i biznesit dhe i ekonomisë në përgjithësi.
(Autori është kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore)