Kryetari i Bashkimit Demokratik, prof. Ajvaz Berisha, sot përmes faqes zyrtare të subjektit ka bërë thirrje për bashkangjitje në subjektin e tij.
Ndërë të tjera dhe premtim për depolitizim të arsimit. Ky është postimi i plotë:
THIRRJE PUBLIKE
Unë, Prof.Dr.Ajvaz Berisha, iu bëj thirrje të sinqertë ish-nxënësve dhe ish-kolegëve të Gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skendërbeu”, bashkëluftëtarëve të luftës për çlirim, studentëve të mi dhe miqve tjerë të shumtë në Drenas, që t’i bashkangjiten partisë politike “Bashkimit Demokratik”, parti që e udhëheqi unë si Kryetar, dhe që do të garojë në zgjedhjet lokale për Kryetar të Komunës së Drenasit, në vitin 2025. Këtë thirrje e bëj i nxitur nga fakti se Drenasi meriton progres dhe udhëheqje shumë më efikase e më të mirë sesa deri tani!
Unë iu premtoj se Drenasi, nën udhëheqjen e Bashkimit Demokratik, do të jetë i qeverisur shumë më ndryshe sesa deri tani, duke e depolitizuar sferën e arsimit. Drejtorët do të emërohen me përkrahjen e kolektivit dhe pa ngjyrime politike, si hap drejt ngritjes së kualitetit në arsim; do të ngrisim nivelin e shërbimit dhe të infrastrukturës në shëndetësi; planifikojmë mbështetje më të madhe për bizneset start-up, me të gjitha lehtësirat e mundshme, sidomos për gratë pronare dhe ish-ushtarët e UÇK; subvencionim të bujqësisë me farëra, mjete teknologjike si dhe konsulencë falas, duke iu siguruar bujqve edhe tregje për plasimin e produkteve; zhvillim e gjallëri në aktivitetet shkollore, kulturore, e sportive në tërë komunën; mbështetje për nxënësit dhe studentët e zellshëm, duke punuar në lidhjen e arsimit me tregun e punës; kujdes më të madh paliativ dhe rekreacion për moshën e shtyrë, e shumë planifikime e aktivitete tjera, të parapara edhe me Programin e BD-së. Prandaj, ftoj njerëz të të gjitha shtresave e moshave, siç e thitë edhe emri i partisë sonë, që të na bashkohen në këtë kauzë të drejtë.
Unë personalisht dhe bashkëpunëtorët e mi të ngushtë jemi të përmbushur në çdo aspekt jetësor, prandaj angazhimi ynë politik në të mirë të Drenasit ka për motiv vetëm interesin e përgjithshëm dhe progresin e gjithmbarshëm të Drenasit, e kurrsesi ndonjë interes të ngushtë personal. Në shumë aspekte, ky angazhim është presion dhe ngarkesë edhe për familjet tona. Por, në situata amullie e udhëkryqesh të rëndësishme, sikurse gjendja e tanishme në Drenasin tonë, intelektualët dhe rinia studentore duhet të ngrisin zërin e të aktivizohen. Ky është edhe obligim moral e shoqëror që e kemi ndaj atdheut dhe të ardhmës së fëmijëve, brezave që po vijnë.
Bashkimi Demokratik është vendi ku mendimi juaj vlen dhe aktiviteti juaj çmohet, prandaj ju ftoj të na bashkangjiteni në këtë rrugëtim, nën slloganin:
DRENASI IM, BASHKOHU PËR NDRYSHIM !