Kontaktoni

[email protected]

Tel: +383 49 110 092

Rr. Antigona Fazliu - 10000, Prishtinë

Opinion

Mësimet nga puçi i dështuar i Wagner-it

DNews
01 Korrik 2023

Nga: Anatol Lieven / The Guardian (titulli origjinal: The failed Wagner coup shows Vladimir Putin’s regime remains stubbornly strong)
Përkthimi: Telegrafi.com

Pjesa më e madhe e analizës perëndimore, për ngjarjet në Rusi të fundjavës së kaluar, kanë arritur në përfundimin se Vladimir Putini e tregoi dobësinë e vet duke e lejuar Jevgeni Prigozhinin dhe komandantët e tjerë të grupit Wagner që të nisen paqësisht për në Bjellorusi, dhe se anëtarët e rëndomtë do të bashkohen me ushtrinë ruse ose do të rrinë si pensionistë në shtëpitë e veta. Sigurisht, nëse realisht Putini do ta kishte shtypur me forcë revoltën dhe nëse do të kishte ekzekutuar udhëheqësit e saj, komentuesit do ta kishin përdorur këtë më shumë si dëshmi të brutalitetit dhe të mungesës së mëshirës, dhe ndoshta edhe të egërsisë dhe të dhunës së natyrshme në traditën kombëtare ruse.

Këto përfundime janë ngjyrosur nga mospëlqimi i kuptueshëm ndaj liderit rus, dhe ato nuk paraqesin analizë të matur dhe objektive. Në fakt, ndonëse Putin ishte padyshim përgjegjës për krijimin e sfondit të kësaj rrëmujë, duhet ta shqyrtojmë mundësinë se në atë fundjavë ai mirë i trajtoi gjërat. Në fjalimin drejtuar kombit, të shtunën në mëngjes, shfaqi këmbëngulje dhe vendosmëri. Putini e bëri të qartë se ai nuk e kishte ndërmend të dorëzohej ndaj kërkesave të Prigozhinit dhe se nëse ai dhe udhëheqësit e tjerë të Wagner-it do të vazhdonin me revoltën, do të akuzoheshin për tradhti (dhe, siç nënkuptohet, ndoshta do të ekzekutoheshin).

Meqenëse gjithashtu u bë shpejt e qartë se nuk do të kishte asnjë rebelim për mbështetjen ndaj Wagner-it, brenda ushtrisë së rregullt, Prigozhini u përball me zgjedhjen e një sulmi ndaj Moskës – gjë që me siguri do të kishte çuar në masakrën e njerëzve të vet dhe në vdekjen e tij ose në një dorëzim me kushte. Në këto rrethana, Putini nuk kishte asgjë për të fituar duke e kërkuar hakmarrjen e dhunshme e cila do të kishte vrarë një numër të madh të rusëve dhe që do ta minonte keq luftën e rusëve në Ukrainë. Kishte gjithçka për të fituar duke e treguar zemërgjerësinë. Në fund të fundit, ai fitoi.

Për më tepër, arsyeja kryesore se pse Putini nuk veproi shumë më shpejt për të shtypur Prigozhinin dhe për t’i dhënë fund grindjes së tij me komandën e lartë ruse, ishte pikërisht se për më shumë se një vit propaganda e brendshme ruse e kishte krijuar një imazh të luftëtarëve të Wagner-it – si heronj ushtarakë të Rusisë. Vrasja e tyre nuk do të kalonte mirë te rusët e zakonshëm.

Janë dy mësime më të mëdha nga ajo që ndodhi në Rusi gjatë fundjavës së kaluar. E para lidhet me historinë e gjatë të grushteve të shtetit, të kuazi-grushteve të shtetit dhe me rebelimet e elitës në mbarë botën. Një pjesë shumë e madhe e tyre nuk synonin të rrëzonin sundimtarin dhe të merrnin pushtetin suprem, dhe as ta çonin vendin në beteja. Përkundrazi, ishin demonstrata të armatosura si një ekuivalent i baronëve lokalë mesjetarë, që synonin t’i bënin presion monarkut që të “merrej me ankesat” duke shkarkuar baronët rivalë nga oborri mbretëror dhe duke ua dhënë disa pozicione fitimprurëse krerëve rebelë.

Nga Rubrika

D-News, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.