“I kalova dy ditët e fundit në Bruksel, ku bashkë me ekipin tim kemi punuar ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të koordinuar hapat tanë të ardhshëm në adresimin e krizës së vazhdueshme në veri të Kosovës. Fatkeqësisht, pavarësisht nga ekzistenca e hapave të qartë për të ulur me sukses tensionet, situata mbetet e brishtë”, ka shkruar Lajçak.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur të dielën masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian “të padrejta” dhe ka thënë se shpreson që ato të jenë të shkurtra pasi që “Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”.
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian, ka thënë se Qeverisë së Kosovës i ishin komunikuar masat ndëshkuese qysh më 28 qershor, si pasojë e vlerësimit të BE-së se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.