Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu së bashku me ministren e Ekonomisë, Arta Rizvanolli kanë marrë pjesë në takimin informal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, me nikoqire Republikën e Shqipërisë.
Aliu ka shkruar në Facebook se në këtë takim, ka përshkruar qëndrimin dhe vizionin e Kosovës në lidhje me sfidat aktuale të ndryshimeve klimatike dhe rrugën tonë drejt zbatimit të agjendës klimatike.
“Një temë kyçe e diskutimit ishte krijimi i Sistemit të Tregtisë së Emetimeve në kuadër të Komunitetit të Energjisë dhe Mekanizmit të Rregullimit të Karbonit në Kufi (CBAM), mekanizmat që ndikojnë në sektorin e energjisë elektrike, si dhe sektorët tjerë që emetojnë gazra serë”, ka shkruar Aliu.
“Për këtë kemi shprehur shqetësimet tona pasi që për të ardhur në vendimmarrje të informuar, është e rëndësishme të kryejmë analizën e ndikimit të CBAM në industri dhe sektorin e energjisë, duke përfshirë edhe mbështetjen që nevojiten për t’i adresuar sfidat që paraqet CBAM”, ka përfunduar ai.