Korrupsioni dhe shpopullimi i Ballkanit Perëndimor janë ndër problemet më shqetësuese të qytetarëve të rajonit.
Barometri Ballkanik 2023 për gjashtë muajt e parë të këtij viti, i publikuar së fundi Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, sjell opinonin publik përmes anketimit të rreth 60 mijë qytetarëve dhe 12 mijë bizneseve në Ballkanin Perëndimor lidhur me pritshmëritë e tyre për jetën dhe punën, tendencat në situatën politike, social-ekonomike të rajonit, qëndrimet e tyre ndaj bashkëpunimit rajonal dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Në gjashtë vendet e rajonit – Serbi, Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Kosovë – 27 për qind e qytetarëve të anketuar mendojnë që niveli i korrupsionit është rritur.
Sipas tyre korrupsioni është problemi më i madh shqetësues për zhvillimin e rajonit dhe plotësimin e aspiratave të tyre.
Shqipëria vendi me korrupsionin më të lartë në rajon
Sipas perceptimit publik të 38 për qind të qytetarëve shqiptarë të anketuar, Shqipëria është vendi me korrupsionin më të lartë në rajon. Në vendin e dytë vijnë Bosnjë-Herzegovina dhe Maqedonia e Veriut me 26 për qind, të ndjekura nga Mali i Zi dhe Serbia me 25 për qind. Nivelin më të ulët në Ballkanin Perëndimor lidhur me perceptimin publik për korrupsionin e ka Kosova me 22 për qind të qytetarëve të saj të anketuar.
Në vijim të pasojave të korrupsionit 69 për qind e qytetarëve të anketuar në nivel rajonal mendojnë që ligji nuk zbatohet njëlloj për të gjithë, nivel që përbën 7 për qind më shumë se një vit më parë.