Është e lodhshme, e bezdisshme, por më shumë se kaq e palejueshme që një shtet me problemet e veta aq të mëdha të kthehet në pengesë për të ardhmen e Ballkanit.
Kjo po ndodh me Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës (BH) prej problemeve të vazhdueshme që po i sjell makthi i Republikës Sërpska (RS). E fundit, Asambleja e kësaj republike kërkon të mos njohë autoritetin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës. Më tepër se kaq, “i plotfuqishmi Dodik” dhe aleatët e tij jo vetëm nuk duan të respektojnë më autoritetet e ndarjes së pushteteve në federatë, që rrjedhin nga Marrëveshja e Dejtonit, por më shumë se kaq shfaqin edhe sigurinë t’i bëjnë ato.
A na interesojnë vërtetë ato që bëhen në BH?! Me sa duket: Po. Pas ngjarjeve të veriut në Kosovë, Zhelka Cvijanoviq, anëtarja e presidencës së BH-së ka gjetur një mënyrë në dukje dytësore për t’ia nxirë jetën Kosovës sa i përket regjimit pa viza, ndikuar prej Procesit të Berlinit. Zyrtarja e SNSD-së e ka quajtur këtë çështje si shkatërruese për interesin jetik të entitetit të Republikës Sërpska! Argumenti ka pak ngrohje tashmë dhe nga kundërshtimet që po i vishen ngado në kurriz Qeverisë Kurti: “Regjimi i kryeministrit të Kosovës nuk meriton përfitime”, u shpreh ajo.
Procesi i heqjes së vizave për rajonin, këtu flitet për Kosovën sepse rajoni e ka tejkaluar këtë gjendje, nisi pas nënshkrimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor, nga nëntori i vitit 2022 brenda kuadrit të Procesit të Berlinit. Kjo i referohet lirisë së lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Për fat, tashmë për Kosovën është vendosur që 1 janari i vitit 2024 të jetë momenti kur qytetarët e saj të lëvizin pa viza në të gjithë kontinentin, një moment aq shumë i pritur për Republikën e re, përballur me aq shumë probleme.
Mbi të gjitha, prej situatës së dialogut ku përveç ngurtësisë së vendimeve të kryeministrit Kurti shpeshherë të padakordësuara me faktorin ndërkombëtar (madje edhe kjo e fundit të shpalljes si organizata terroriste të dy organizimeve), kemi përballë një Serbi, që e nguc shpesh veriun aq jetik në Kosovë në problematika. Duke ditur lidhjet historike të Kosovës dhe të BH-së, shumëkush e kupton se bllokimi i heqjes së regjimit të vizave, i cili prej vitesh i ka rënduar banorët e të dyja vendeve, është një akt tejet i njëanshëm nga serbët. Ndërkohë, dy etnitë e tjera, me autoritetet e tyre, janë dakordësuar dhe nuk kanë nxjerrë probleme me ratifikimin.